Jini të mirë dhe të dashur - këshillojnë udhëheqësit gjatë konferencës mbarëbotërore

Presidenca e Parë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në sesionin e paradites të së shtunës së Konferencës së Përgjithshme Vjetore të 187-të të besnikëve.

Njoftohen ndryshime në udhëheqje dhe pesë tempuj të rinj

Gjatë Konferencës së Përgjithshme Vjetore të 187-të, udhëheqësit drejtues të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme i nxitën besnikët që ta ndjekin Jezu Krishtin duke qenë të mirë me të tjerët. Presidenca e Parë njoftoi ndryshime në udhëheqje dhe pesë tempuj të rinj.

Më 25 mars, 1 dhe 2 prill 2017 u zhvilluan gjashtë sesione të konferencës që zunë fill në Qendrën e Konferencave me 21000 ndenjëse në Solt-Lejk-Siti dhe arritën një publik botëror që llogaritet të jetë me miliona. Punimet e konferencës u interpretuan drejtpërsëdrejti në më shumë se 80 gjuhë.

Tomas S. Monsoni, Presidenti i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, i nxiti pjesëmarrësit në konferencë që ta ndjekin shembullin e Jezu Krishtit duke qenë të mirë, të dashur dhe me dashuri hyjnore. Presidenti Diter F. Uhtdorf, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, tha se dashuria e Jezu Krishtit do t’i ndihmojë pasuesit e Tij të bëhen pak më të mirë, më falës, më të dashur dhe më shumë të përkushtuar ndaj punës së Tij.

Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, u tha dëgjuesve se ata duhet të jenë vigjilentë ndaj fanatizmit kundrejt atyre që kanë opinione të ndryshme. Plaku Xhefri R. Holland, nga i njëjti kuorum, shprehu shqetësim lidhur me pabarazinë marramendëse ekonomike në botë. Të qenit besnikë kërkon kujdes në mënyrë nderuese për të varfrit, tha ai. Presidentja e përgjithshme në largim e Shoqatës së Ndihmës, Linda K. Barton, e falënderoi publikun e saj për sigurimin e ndihmës ndaj atyre që janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre duke kërkuar lehtësim nga konflikti civil dhe vështirësi të tjera.

Plaku Geri B. Sebin, i Të Shtatëdhjetëve, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Zonës së Europës, i nxiti pjesëmarrësit në konferencë që t’i ngrenë duart që varen. Presidentja e Përgjithshme e Fillores, Xhoi D. Xhons, pohoi se prindërit duhet t’i ndihmojnë fëmijët e tyre ta dinë pa asnjë dyshim se ata janë bij e bija të një Ati të dashur Qiellor.

Ndryshimet e njoftuara në udhëheqje gjatë sesionit të pasdites të së shtunës përfshinë thirrjen e gjashtë Autoriteteve të Përgjithshme Të Shtatëdhjetë – Tejlor G. Godoi, Soni L. Koh, Adilson de Paula Pareja, Xhon C. Pingri i Riu, Brajën K. Tejlor dhe Taniela B. Uakolo. Përveç këtyre, u thirrën edhe 36 Të Shtatëdhjetë Zonalë. Midis tyre ishin dy nga Zona e Europës – Karl D. Hërst dhe K. Roi Taniklif, të dy nga Anglia. Ndërsa Autoritetet e Përgjithshme Të Shtatëdhjetë shërbejnë në Presidencën e Të Shtatëdhjetëve, në presidencat e zonës dhe në funksione të tjera administrative në zyrat qendrore, autoriteti i Të Shtatëdhjetëve Zonalë përgjithësisht kufizohet në zonën ku ata shërbejnë.

Xhin B. Bingam, Sheron Iubenk dhe Reina I. Aburto do të mbikëqyrin Shoqatën e Ndihmës të Kishës, një nga organizatat më të mëdha të grave në botë. Motra Boni H. Kordon, e cila ishte këshilltare e dytë në presidencën e Fillores, u njoftua të shtunën si këshilltarja e re e parë. Motra Kristina B. Franko do të jetë këshilltarja e re e dytë.

Gjatë fjalëve hyrëse në sesionin e paradites të së dielës, Presidenti Monson njoftoi planet për të ndërtuar pesë tempuj të rinj, që ndodhen në zonën e Brazilias, Brazil; në zonën e Manilës me rrethina Filipine; Nairobi, Kenia; Pokatelo, Ajdaho dhe Saratoga-Springs, Juta.

Raporti vjetor statistikor që u paraqit në konferencë rendit, një numër anëtarësie të përgjithshme në mbarë botën prej 15882417 vetash, më 31 dhjetor 2016.*

Dy herë në vit, anëtarët dhe miqtë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme mblidhen për të dëgjuar mesazhe frymëzimi dhe udhërrëfimi nga Autoritetet e Përgjithshme dhe drejtues të përgjithshëm gjatë Konferencës së Përgjithshme të Kishës.

Motra Boni L. Oskarson (në mes) aktualisht shërben si presidente e përgjithshme e Të Rejave. Këshilltaret e saj janë Motra Karol F. Mek-Konki (këshilltare e parë) dhe Motra Nill F. Mariot (këshilltare e dytë). Ato po shërbejnë si presidencë e përgjithshme që nga prilli 2013. Këtu ato shkëmbejnë të qeshura në Sesionin e Përgjithshëm të Grave të marsit 2017 të Konferencës së Përgjithshme Vjetore të 187-të të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Presidentja e përgjithshme në largim e Shoqatës së Ndihmës, Linda K. Barton, e mirëpret presidenten e re, Xhin B. Bingamin, gjatë sesionit të pasdites të së shtunës të konferencës së përgjithshme të prillit 2017.

Presidenca e re e Shoqatës së Ndihmës e Kishës, nga e majta në të djathtë: Sheron Iubenk, këshilltare e parë; Xhin B. Bingam, presidente; Reina I. Aburto, këshilltare e dytë.

Presidenti Tomas S. Monson del nga salla pas sesionit të paradites të së shtunës të konferencës së përgjithshme të prillit 2017.

Presidenti Henri B. Ajring, këshilltar i parë në Presidencën e Parë dhe Presidenti Diter F. Uhtdorf, këshilltar i dytë, përshëndetin me dorë në fund të Sesionit të Përgjithshëm të Grave, të shtunën më 25 mars 2017.