A është Kisha e shqetësuar për rastet e abuzimit bashkëshortor dhe të fëmijëve?
Cili është qëndrimi i Kishës mbi homoseksualitetin?
Cili është qëndrimi i Kishës mbi poligaminë?
Përse gratë nuk mbajnë priftërinë?
Cili është qëndrimi i Kishës mbi vetëvrasjen?
Cili është roli i baskëshortes në familje?
Përse familja është aq rëndësishme për Kishën tuaj?
Gordon B. Hinkli, ish-Presidenti i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dha shpjegimin e mëposhtëm për sa i përket abuzimit me bashkëshorten ose fëmijët:
“Ne dënojmë në mënyrën më të fuqishme sjelljen abuzive të çfarëdo forme. Kundërshtojmë ashpër abuzimin fizik, seksual, verbal ose emocional me bashkëshorten ose fëmijët. Proklamata jonë mbi familjen njofton hapur: ‘Bashkëshorti dhe bashkëshortja kanë një përgjegjësi solemne të duan dhe të kujdesen për njëri-tjetrin dhe për fëmijët e tyre. ... Prindërit kanë një detyrë të shenjtë për të rritur fëmijët e tyre me dashuri dhe drejtësi, për të plotësuar nevojat e tyre fizike dhe shpirtërore. ... Bashkëshortët dhe bashkëshortet, nënat dhe etërit, do të mbahen përgjegjës përpara Perëndisë për plotësimin e këtyre detyrimeve’ (Ensign, nëntor 1995, f. 102).” ...
“Kur njihet barazia mes bashkëshortit dhe bashkëshortes, kur pranohet që çdo fëmijë i lindur në botë është një fëmijë i Perëndisë, atëherë do të vijë një ndjenjë më e madhe përgjegjësie për të ushqyer, për të ndihmuar, për të dashur me një dashuri të qëndrueshme ata për të cilët ne jemi përgjegjës.”
“Asnjë burrë i cili abuzon me bashkëshorten ose fëmijët e tij, nuk është i denjë të mbajë priftërinë e Perëndisë. Asnjë burrë i cili abuzon me bashkëshorten ose fëmijët e tij, nuk është i denjë për opinion të mirë në këtë Kishë. Abuzimi me bashkëshorten dhe fëmijët është një ofendim nga më të rëndët para Perëndisë dhe cilido që ia lejon vetes atë gjë, mund të presë masë disiplinore nga Kisha.” (Ensign, nëntor 1998, f. 70.)
Gordon B. Hinkli, ish-Presidenti i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, nxori deklaratën e mëposhtme mbi homoseksualitetin:
“Ne besojmë që martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia. Ne besojmë që martesa mund të jetë e përjetshme nëpërmjet ushtrimit të fuqisë së priftërisë së përjetshme në shtëpinë e Zotit.”
“Njerëzit pyesin për qëndrimin tonë mbi ata që e konsiderojnë veten të ashtuquajtur gei dhe lezbian. Përgjigjja ime është që ne i duam ata si bij dhe bija të Perëndisë. Ata mund të ketë prirje të caktuara që janë të fuqishme dhe që mund të jenë të vështira të kontrollohen. Shumica e njerëzve kanë prirje të një lloji apo një tjetri në kohë të ndryshme. Në qoftë se ata nuk veprojnë sipas këtyre prirjeve, ata mund të ecin përpara siç ecin të gjithë anëtarët e Kishës. Nëse e dhunojnë ligjin e dëlirësisë dhe të normave morale të Kishës, atëherë janë subjekt për disiplinim nga Kisha, sikurse dhe të tjerët.”
“Ne dëshirojmë t’i ndihmojmë këta njerëz, t’i forcojmë, t’u vijmë në ndihmë për problemet e tyre dhe t’i ndihmojmë në vështirësitë e tyre. Por ne nuk mund të qëndrojmë të plogët nëse ata jepen në veprimtari amorale, nëse përpiqen të përkrahin e të mbrojnë dhe të jetojnë në një gjendje të ashtuquajtur martesë me të njëjtën gjini. Të lejosh diçka të tillë, do të ishte sikur të merrje lehtë-lehtë themelin mjaft serioz dhe të shenjtë të martesës që miraton Perëndia dhe krejt qëllimin e saj, ndërtimin e familjeve.” (Ensign, nëntor 1998, f. 70.)
Më 1998 Presidenti Gordon B. Hinkli dha shpjegimin e mëposhtëm për qëndrimin e Kishës mbi poligaminë:
“Kjo Kishë nuk ka kurrfarë gjëje të bëjë me ata që praktikojnë poligaminë. Ata nuk janë anëtarë të kësaj Kishe. . . . Nëse ndonjë nga anëtarët tanë gjendet se praktikon martesën e shumëfishtë, shkishërohet, dënimi më i rëndë që mund të imponojë Kisha. Jo vetëm që të përfshirët e tillë janë në dhunim të drejtpërdrejtë të ligjit civil, por ata janë në dhunim të ligjit të kësaj Kishe.”
Zoti ka urdhëruar në kohë të ndryshme njerëzit e Tij të praktikojë martesën e shumëfishtë. Për shembull, Ai urdhëroi Abrahamin, Isakun, Jakobin, Moisiun, Davidin dhe Salomonin të vepronin ashtu (Doktrina e Besëlidhje 132:1).
Në kohërat më moderne Zoti gjithashtu ka urdhëruar disa nga anëtarët e parë të Kishës të vënë në jetë ligjin e martesës së shumëfishtë. Profeti Jozef Smith dhe kolegët e tij më të ngushtë, ndër të tjerë Brigam Jang dhe Hibër C. Kimbëll, nuk e panë të lehtë këtë urdhërim, por iu bindën atij. Zbatimi i tij drejtohej me rregull nga udhëheqësit e Kishës. Kushdo që hynte në martesë të shumëfishtë, kërkonte leje. Martesa duhej të administrohej nën fuqinë vulosëse të priftërisë. Më 1890 Presidenti Uilford Udraf mori një zbulesë që udhëheqësit e Kishës nuk duhej të mësonin më martesë të shumëfishtë.
Gordon B. Hinkli, ish-Presidenti i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, tha:
“[Gratë nuk mbajnë priftërinë] ngaqë kjo është mënyra që Zoti e ka organizuar atë. Kjo është pjesë e planit të Tij. Gratë kanë një rol shumë të rëndësishëm në Kishë. Burrat mbajnë priftërinë, por gratë kanë një vend domethënës në këtë Kishë. Ato kanë organizatën e tyre. Ajo u themelua nga Profeti Josef Smith më 1842 me emrin Shoqata e Ndihmës, për arsye se qëllimi i saj fillestar ishte të ndihmonte nevojtarët. Ajo, mendoj, është rritur dhe është bërë organizata më e madhe e grave në botë, me mbi tre milion anëtare. Ka zyrat e veta, presidencinë e saj dhe komitetin e saj. Kjo shtrihet deri në njësitë më të vogla të Kishës kudo në botë. . .”
“Burrat mbajnë priftërinë, po, por bashkëshortja ime është ortake me mua. Në këtë Kishë burri nuk është mbi gruan apo nën të - ata ecin krah për krah. Ata përpiqen të ecin të barabartë për një qëllim të lartë."
Ndonëse është padrejtësi të marrësh jetën vetjake, mundet që personi vetëvrasës të mos jetë përgjegjës për veprimin e vet. Kjo është diçka që vetëm Perëndia mund ta gjykojë.
Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha për këtë çështje: “Siç duket, ne nuk i dimë rrethanat e plota që rrethojnë çdo vetëvrasje. Vetëm Zoti i di të gjitha hollësitë dhe është ai që do të gjykojë veprimet tona këtu mbi tokë.”
“Kur të na gjykojë, mendoj se ai do të marrë gjithçka në konsideratë: përbërjen tonë gjenetike dhe kimike, gjendjen tonë mendore, aftësinë tonë intelektuale, mësimet që kemi marrë, traditat e etërve tanë, shëndetin tonë e kështu me radhë.” (“Suicide: Some Things We Know, and Some We Do Not”, Tambuli, mars 1988, f. 16.)
Apostull Pali na mësoi: “Gjithsesi në Zotin as burri s'është pa gruan, as gruaja pa burrin”. (1 Korintasve 11:11.)
Përpara Perëndisë dhe në martesë, bashkëshorti dhe bashkëshortja janë njëlloj të rëndësishëm.
Martesa nuk i jep asnjë prej ortakëve të drejtën që të sundojë apo të abuzojë me tjetrin. Përkundrazi, bashkëshorti dhe bashkëshortja duhet të përkrahin njëri-tjetrin si ortakë të njëjtë.
Gordon B. Hinkli, ish-Presidenti i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, tha:
“Një komb asnjëherë nuk mund të ngrihet më lart, sesa lejon forca e familjeve të tij. Nëse dëshironi të përmirësoni një komb, ju duhet të filloni me familjet, në mënyrë që prindërit t’u japin fëmijëve të tyre parime dhe vlera të cilat janë pozitive e të sakta dhe t’u prijnë atyre për të bërë diçka të dobishme nga vetja. Kjo është në parim gjëja që është bërë gabim në Amerikë. Dhe ne po bëjmë përpjekje të mëdha që të arrijmë më shumë solidaritet në familje. Prindërit nuk kanë detyrë më të madhe në këtë botë, sesa t’i rrisin fëmijët e tyre në udhën e drejtë dhe, ndërsa vitet kalojnë, asgjë nuk do t’u japë kënaqësi më të madhe sesa fëmijët që po rriten në drejtësi e ndershmëri dhe po bëjnë diçka me jetën e tyre për t’i kontribuar shoqërisë për arsye se janë pjesë e saj.”