Presidenti Tomas S. Monson ka shërbyer si Presidenti i 16-të i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme që prej 3 shkurtit 2008. Ai kishte shërbyer si Këshilltar në Presidencinë e Parë të Kishës që nga 10 nëntori i vitit 1985. Radhën e fundit, më 12 mars 1995, ai u veçua Këshilltar i Parë për Presidentin Gordon B. Hinkli. Para kësaj, më 5 qershor 1994, ai qe thirrur Këshilltar i Dytë për Presidentin Hauard W. Hanter dhe, më 10 nëntor 1985, Këshilltar i Dytë për Presidentin Ezra taft Benson. Ai u mbështet për në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve më 4 tetor 1963 dhe u shugurua Apostull më 10 tetor 1963, në moshën 36 vjeç.
Presidenti Monson ka shërbyer si president i Misionit të Kishës në Kanada, me qendër në Toronto, Ontario, nga viti 1959 deri 1962. Përpara kësaj kohe pati shërbyer në presidencinë e Kunjit Tempëll Vju në Solt-Lejk-Siti të Jutës dhe si peshkop i Lagjes së Gjashtë dhe të Shtatë të këtij kunji.
I lindur në Solt-Lejk-Siti, më 21 gusht 1927, Presidenti Monson është biri i prindërve G. Spenser dhe Gledis Kondi Monson. Ai ndoqi shkollat publike të Solt-Lejk-Sitit dhe u diplomua me nder nga Universiteti i Jutës më 1948, duke marrë gradën për drejtim biznesi. Ai punoi si i diplomuar dhe shërbeu si anëtar i fakultetit të Kolegjit të Biznesit në Universitetin e Jutës. Më vonë mori gradën Master në Administrim Biznesi nga Universiteti “Brigam Jang”. Në prill 1981, Universiteti “Brigam Jang” i dha Presidentit Monson gradën e Doktorit në Drejtësi, “honoris causa”. Atij iu dha grada e nderit Doktor i Letërsisë Humane nga Kolegji Komunitar i Solt-Lejkut, në qershor 1996. Ai mori titullin Doktor i Nderuar i Biznesit nga Universiteti i Jutës, në maj 2007. Ai është anëtar i një vëllazërie të nderuar të biznesit, Alfa Kapa Psi.
Presidenti Monson shërbeu në Forcat Detare të SHBA-së pranë përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ai u martua me Frensis Beverli Xhonson më 7 tetor të vitit 1948, në Tempullin e Solt-Lejk-Sitit. Ata janë prindër të tre fëmijëve dhe kanë tetë nipër e mbesa dhe katër stërnipër e stërmbesa.
Profesionalisht, Presidenti Monson ka patur një karrierë të shkëlqyer në botime dhe në shtyp. Ai u bashkua me Deseret Njuz në vitin 1948, ku shërbeu si nëpunës ekzekutiv në sektorin e reklamës të kësaj gazete dhe në Korporatën e Agjensisë së Gazetave. Më vonë ai u emërua si menaxher i shitjeve të Deseret Njuz Pres, një nga firmat më të mëdhaja të shtypshkrimit komercial të Perëndimit të vendit, duke u ngritur në pozitën e menaxherit të përgjithshëm, post që e mbante në kohën e caktimit të tij në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve më 1963. Shërbeu për shumë vite si kryetar i bordit të Kompanisë Deseret News Publishing. Presidenti Monson ka qenë president i Industrisë së Shtypshkronjave të Jutës dhe anëtar i bordit të drejtorëve të Industrisë së Shtypshkronjave të Amerikës.
Me përvojën e tij të gjerë në biznes, Presidenti Monson ka shërbyer për shumë vite si anëtar i bordit të disa bizneseve dhe industrive të shquara. Ai shërben aktualisht si komisioner i Universitetit “Brigam Jang” dhe i Bordit Arsimor të Kishës.
Që nga viti 1969 Presidenti Monson ka shërbyer si anëtar i Bordit Ekzekutiv Kombëtar të Skautistëve të Amerikës.
Presidenti Monson ka pasur anëtarësi në Shoqatën e Drejtuesve Ekzekutivë të Shitjeve për Jutën, në Klubin e Reklamës të Solt-Lejkut dhe në Klubin e Shkëmbimeve të Solt-Lejkut.
Për shumë vite Presidenti Monson shërbeu si anëtar i Bordit të Regjentëve të Shtetit të Jutës, një trupë e cila qeveris arsimin më të lartë në Shtetin e Jutës. Gjithashtu shërbeu si funksionar në Shoqatën e Të Diplomuarve të Universitetit të Jutës.
Në dhjetor të vitit 1981 Presidenti Monson u caktua nga Presidenti Ronald Regan që të shërbente në Task-Forcën e Presidentit për Nismat e Sektorit Privat. Ai shërbeu në këtë cilësi deri në dhjetor 1982, kohë kur puna e task forcës përfundoi.
Presidentit Monson iu dha Çmimi i Ish-Nxënësit të Shquar të Universitetit të Jutës, më 1966. Ka marrë gjithashtu Çmimin e Kastorit të Argjendtë të Skautistëve të Amerikës (1971), Çmimin e Bufalos të Argjendtë (1978) - çmim prestigjoz po prej tyre, dhe çmimin më të lartë ndërkombëtar të Skautizmit, Ujku i Bronxtë (1993). Më 1997 mori Çmimin e Rezervistit nga Garda Kombëtare e Jutës si edhe Çmimin e Burrërisë Shembullore nga Universiteti “Brigam Jang”. Në vitin 1998, atij dhe Motrës Monson iu dha secilit Çmimi i Vazhdimësisë së Humanistit Dashamirës nga Motrat e Shoqatës Bamirëse të Shën Jozef Vilës.