Jozef Smith i Riu lindi më 1805 në Sherën të Kontesë Uindsor, të shtetit Vermant, si biri i prindërve Jozef Smith Plaku dhe Lusi Mak Smith. Ai kishte dhjetë vëllezër e motra. Prindërit e mësuan që të lutej, të lexonte Biblën dhe të kishte besim tek Perëndia.
Në një vegim të parë, në moshën 14-vjeçare, Jozefi pa Perëndinë Atë dhe Birin e Tij Jezu Krishti. Kur Jozefi ishte 17 vjeç, tek ai erdhën lajmëtarë nga qielli për ta përgatitur për detyrën e tij në rivendosjen e Kishës së Jezu Krishtit mbi tokë. Ai qe një Profet sikurse profetët e kohërave biblike.
Kur Jozef Smithi ishte ende i vogël, ekzistonin gjithfarë kishash në zonën e afërt me shtëpinë e tij, secila prej tyre shpallte se mësonte të vërtetën. Kjo gjë e shqetësonte atë. Ai donte të mësonte se cila kishë ishte e vërtetë. Një ditë ai lexoi një pjesë në Bibël ku thuhej: “Në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim dhe pa qortuar, dhe atij do t’i jepet” (Jakobi 1:5). Jozefi e vendosi në mendje që ta pranonte këtë nxitje dhe të pyeste Perëndinë.
Në pranverë të vitit 1820 ai shkoi në një korie të vogël pemësh pranë shtëpisë së tij dhe u lut që të zbulonte se në cilën kishë duhej të anëtarësohej. Në përgjigje të lutjes së tij, Perëndia Atë dhe Biri i Tij Jezu Krishti iu shfaqën. Jozefi e përshkroi këtë si vijon: “Kur drita pushoi mbi mua, unë pashë dy Personazhe, shkëlqimi dhe lavdia e të cilëve i kapërcejnë të gjitha përshkrimet, duke qëndruar mbi mua në ajër. Një prej tyre më foli, duke më thirrur në emër dhe tha, duke treguar tjetrin: Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!” Jozefit iu tha se nuk duhej të bashkohej me asnjë prej kishave ekzistuese të kohës së tij.
Vegimi i parë i Jozef Smithit shënon fillimin e Rivendosjes së Kishës së Jezu Krishtit mbi tokë.
Rrëfimi i tij i shkruar i kësaj ngjarjeje përfaqëson një dëshmi të fuqishme të asaj që ai pa dhe përjetoi.