• Lidhuni me ne
    phoneNa Merrni:
    +355(0)682016570

Informationsmaterial online bestellen

URDHËRIMET

Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (Mormonët) i konsiderojnë urdhërimet si udhëzime të Perëndisë për një jetë të drejtë. Perëndia jep urdhërime me anë të zbulesës së drejtpërdrejtë ose përmes profetëve të Tij. Rrëfime të shkruara të zbulesave të tilla gjenden tek Shkrimet e Shenjta. Perëndia u jep urdhërime fëmijëve të Tij, sepse i do ata. Ai e di se “ligësia kurrë nuk ka qenë lumturi” (Libri i Mormonit, Alma 41:10) dhe se bindja ndaj urdhërimeve të Tij do të çojë në gëzim dhe paqe në këtë jetë dhe në lumturi të përjetshme në jetën që vjen.

Anëtarët e Kishës gjithashtu besojnë se del qartë nga mësimet e Krishtit tek Dhjata e Re dhe Libri i Mormonit se ekziston një ndikim pastrues kur ne u bindemi urdhërimeve. Bindja lidhet jo vetëm me veprimet e një personi, por edhe me mendimet dhe qëllimet e tij.

Dhjetë Urdhërimet

Urdhërimet themelore që Perëndia i zbuloi profetit Moisiu në kohët e Dhjatës së Vjetër, vlejnë ende për anëtarët e Kishës sot. Këto urdhërime, të cilat gjenden në kapitullin e 20-të të Librit të Eksodit, janë:

  • Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje.
  • Nuk do të përkulesh para perëndive të tjera.
  • Nuk do të përdorësh emrin e Zotit, të Perëndisë tënd, kot.
  • Mbaje mend ditën e Shabatit për ta shenjtëruar.
  • Ndero atin dhe nënën tënde.
  • Nuk do të vrasësh.
  • Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore.
  • Nuk do të vjedësh.
  • Nuk do të bësh dëshmi të rreme.
  • Nuk do të dëshirosh zotërimet e të afërmit tënd.

Të gjithë profetët që nga Jozef Smithi, përfshirë edhe profetin dhe Presidentin e tanishëm të Kishës, Tomas S. Monson, kanë theksuar sa rëndësi ka që personi, familja dhe komuniteti të mbajnë Dhjetë Urdhërimet. Theks në rritje po vihet këto kohë mbi disa prej këtyre urdhërimeve, veçanërisht mbi atë që nganjëherë quhet “i harruari urdhërim i shtatë”. Anëtarëve të Kishës, pra, u kërkohet të mbajnë ligjin e dëlirësisë, që do të thotë vetëpërmbajtje e përkorë seksuale para martesës dhe besnikëri e plotë bashkëshortore në martesë.

Fjala e Urtësisë

Më 1833 Perëndia i zbuloi një ligj shëndetësor Jozef Smithit, në mënyrë që ne të mbajmë trupin tonë të shëndetshëm dhe funksional. Ky ligj njihet si Fjala e Urtësisë. Në të vihet mjaft theks mbi ushqyerjen e shëndetshme dhe shëndetin fizik e mendor. Në të Perëndia i ndalon gjithashtu të përdoren:

  • Duhani
  • Alkooli
  • Kafeja dhe çajërat e zinj e të gjelbra
  • Substanca e ndaluara

Perëndia u premton bekime të mëdha fizike dhe shpirtërore atyre që zbatojnë Fjalën e Urtësisë. Shkenca e ditëve të sotme vërteton shumë nga parimet të cilat Jozef Smithi i mësoi nga ai Perëndi mirëdashës, pothuajse dyqind vjet më parë.

Ligji i së Dhjetës

Parimi i së dhjetës, kur dikush kushton vullnetarisht një të dhjetën e të ardhurave të tij për punën e Zotit, njihej që nga kohërat e Dhjatës së Vjetër. Abrahami i pagoi të dhjeta Melkizedekut (Zanafilla 14:17-20).

Zoti e financon Kishën e Tij përmes ligjit të së dhjetës. Sot të gjithë anëtarët aktivë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme paguajnë vullnetarisht në të dhjeta një të dhjetën e të ardhurave të tyre. E dhjeta përdoret për qëllimet që vijojnë:

  • Për të ndërtuar tempuj, godina të mbledhjeve dhe ndërtesa të tjera.
  • Për të mbuluar shpenzimet administrative të Kishës.
  • Për të financuar programin e misionit.
  • Për prodhimin e materialeve që përdoren në mësimdhënie dhe për organizatat e Kishës.
  • Punë në tempuj dhe gjenealogji si dhe shumë veprimtari të tjera të Kishës.
  • Arsimim.

Përveç atyre të përmenduara tashmë, në Kishë ka urdhërime të tjera të cilat ndalojnë ose kërkojnë sjellje të caktuara. Sidoqoftë, Zoti ka bërë të qartë se gjithashtu një ndër urdhërimet e Tij është që njeriu të marrë përgjegjësi vetjake për veprimet e veta:

“Sepse vini re, nuk është e përshtatshme që unë duhet të urdhëroj për gjithçka; sepse ai që detyrohet në gjithçka, po ai është një shërbëtor i ngathët dhe jo i mençur; si rrjedhim ai nuk merr shpërblim.

Në të vërtetë unë them, njerëzit duhet të përfshihen me zell në një kauzë të mirë dhe të bëjnë shumë gjëra me vullnetin e tyre të lirë e të shkaktojnë shumë drejtësi;

Sepse është në ta fuqia, me anë të së cilës ata janë veprues për veten. Dhe për aq sa njerëzit të bëjnë mirë, ata në asnjë mënyrë s’do ta humbasin shpërblimin e tyre.” (Doktrina e Besëlidhje 58:26-28).