Në udhën e tyre të jetës anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme marrin përsipër shumë përgjegjësi dhe thirrje të Kishës në nivel Lagjeje, Kunji dhe Zone. Afro të gjitha detyrat janë për një kohë të kufizuar, si rregull ndërmjet 3 dhe 9 vjet. Dhënia e një thirrjeje të tillë vullnetare bëhet me ftesë të udhëheqësit të caktuar të Kishës. Ai gjithashtu i liron njerëzit nga thirrja. Mbështetja e përgjithshme nga anëtarësia për marrjen e detyrës, shfaq premtimin e një mbështetjeje morale dhe reale.
Disa përgjegjësi janë pjesë përbërëse në jetën e Kishës për çdo anëtar aktiv. Mësim i Shtëpisë është emri që i jepet kujdesit shpirtëror që tregohet nga mbajtësit vendorë të priftërisë ndaj çdo anëtari të bashkësisë kishtare. Veç kësaj, gratë kanë programin e tyre të përkujdesjes, të quajtur Vizitë Mësimore.
Përhapja e ungjillit të Jezu Krishtit është me interes të veçantë për Kishën. Për këtë arsye, të rinj dhe të reja (afro 60.000 prej tyre në vitin 2003) punojnë intensivisht në mbi 100 vende për një periudhë kohore prej dy vjetësh, që të shpallin lajmet e mira të ungjillit. Veç kësaj, ka detyra të veçanta që caktohen në mision, kryesisht për më të moshuarit, në fushat e kujdesit mjekësor, ekonomisë bujqësore, punës sociale, arsimimit, administrimit të tempullit, hulumtimit të historisë familjare etj. Të gjithë misionarët e financojnë punën e tyre me ndihmën e familjes, të miqve dhe të bashkësisë kishtare vendore.