Dil nga lundrimi kryesor

Gra të Ndërgjegjshme

Gra të Ndërgjegjshme

Nuk është përherë diçka e sigurt të bësh atë që beson se është e drejtë.

Shprehja e bindjeve të tua më të thella dhe të jetuarit e të vërtetave të tua më të larta, mund ta sfidojnë kulturën përreth teje. Liria e ndërgjegjes është jetike për ushtrimin e lirisë morale të zgjedhjes, veçanërisht përballë kundërshtimit. Ne e krijojmë identitetin tonë duke mbajtur një qëndrim mbi atë që është e drejtë dhe atë që është e gabuar.

Kjo e drejtë që nga lindja na përket të gjithëve. Ndërgjegjja nuk njeh gjini.

Në vende anembanë botës, veprat e ndërgjegjshme, madje edhe kur nuk dëmtojnë askënd, nxitin vepra ndëshkimi. Mosmarrëveshjet lindin kur pakicat e shfaqin praninë e tyre në jetën publike. Përndjekja fetare lëndon këdo, por gratë dhe vajzat duket se preken në mënyrë të veçantë. Në shumë kultura dhe sisteme ligjore, ka më pak gjasë që ato të marrin mbrojtje. Kufizimi i shprehjes së fesë i shfuqizon gratë në një numër të madh besimesh.

Malala Jusafzai është një avokate myslimane e re në moshë për arsimimin e femrave dhe fëmijëve. Ajo mori kërcënime për përpjekjet e saj në vitin 2012 dhe u qëllua me armë në një autobus shkolle në Pakistan. Pasi mbijetoi, Malala fitoi Çmimin Nobel për Paqen. Ajo beson se mund të jetë e vërtetë ndaj fesë së saj ndërkohë që i përkrah të drejtat e grave.[1]

Udhëheqëset e besimit Bahai në Iran, Mahvash Sabeti dhe Fariba Kamalabadi, u arrestuan në vitin 2008 dhe u dënuan me 20 vjet burg prej ushtrimit të fesë së tyre. Të akuzuara për “propagandë kundër sistemit”, këto nëna në moshë të mesme vuajnë në kushte të ashpra. Sipas një të burgosure të liruar që ishte atje, ato “nuk ndiejnë urrejtje në zemrat e tyre”.[2]

Ma Huiçao, një grua e krishterë në Kinë, u dënua kohët e fundit me tre vjet burg ngaqë zhvilloi një orë mësimi për studimin e Biblës në shtëpinë e saj.[3]

Dy motra myslimane, Zulhumor Hamdamova dhe Mehriniso Hamdamova, u arrestuan në Uzbekistan në vitin 2009 ngaqë zhvillonin mbledhje fetare. Policia u mësyu shtëpinë dhe tani ato po vuajnë dënime afatgjata me burgim në një kamp pune ku shëndeti i tyre po përkeqësohet.[4]

Nadia Muradi është e besimit Jazidi nga Iraku verior. Në vitin 2014, fshati i saj u sulmua nga terroristë të shtetit islamik. Ajo dhe mijëra gra të tjera u përdhunuan, u martuan me detyrim, u mbajtën skllave dhe u shtrënguan të ndërronin fe. Ajo u arratis dhe tani po punon me avokaten e të drejtave të njeriut, Amal Klunin, për të siguruar drejtësi për popullin e saj. Së bashku, këto dy gra dëshmojnë përpara gjykatave ndërkombëtare, vizitojnë kampe refugjatësh dhe e shprehin kauzën e tyre në median botërore.[5]

Liria e fesë apo e besimit është një prej të drejtave më të rëndësishme të grave. Pa të, thonë studiuesit Brajan Grim dhe Xhoen Lion, “grupet e pakicave, përfshirë gratë, nuk do të jenë në tryezë dhe zërat e tyre jetikë, frytdhënës dhe krijues nuk do të dëgjohen”. Rrjedhoja është pabarazia dhe shtypja. Grimi mori pjesë në një studim të kohëve të fundit që tregon “lidhje të qarta midis lirisë fetare, qëndrueshmërisë ekonomike dhe fuqizimit të grave”.[6]

Të gjitha të drejtat bashkëveprojnë për të përkrahur dinjitetin njerëzor. Kristina Arriaga dhe Xhon Ruskei, të dy ekspertë në këtë fushë, besojnë se liria fetare ndihmon për përmbushjen e potencialit të grave. “Përkrahësit e të drejtave të njeriut, veçanërisht mbrojtësit e të drejtave të grave, mund ta çojnë përpara kauzën e tyre kur bashkohen me përkrahësit e lirisë fetare.”[7]

Lloji më i mirë i lirisë fetare u mundëson grave t’i përcaktojnë vetë bindjet e tyre, të flasin hapur kur shikojnë mangësi në ushtrimin e traditave të besimit të tyre, të zgjedhin një fe tjetër dhe të marrin pjesë në shoqëri. Çdo vend ka një sukses të ndryshëm për sa u përket të drejtave të grave. Por atje ku respektohet liria fetare, gratë kanë më tepër mbështetje nga ligji dhe marrin mundësi më të mira arsimimi.[8] Kjo u lejon atyre të kryejnë role udhëheqëse për përmirësimin e komuniteteve të tyre.

Qëndrueshmëria varet nga mirëqenia e grave. Studiuesja e politikave të jashtme, Valeri Hadsoni, vlerëson se “ekziston një lidhje e fortë dhe shumë domethënëse midis sigurisë së shtetit dhe sigurisë së grave. Në fakt, parashikuesi më i mirë i paqes së një vendi nuk është niveli i mirëqenies së tij, niveli i demokracisë së tij apo identiteti i tij etno-fetar; parashikuesi më i mirë i paqes së një vendi është mënyra se si trajtohen gratë atje.”[9]

Një botë ku gratë fuqizohen për të ndjekur ndërgjegjen e tyre, është një botë me paqe e mundësi më të mëdha.


[1] Shih biografinë e Malala Yousafzai-t, www.nobelprize.org dhe “Malala Yousafzai: ‘I’m a Feminist and a Muslim’”, Channel 4 News, 15 dhjetor 2015, www.channel4news.com.

[2] Roxana Saberi, “In Iran, Shackling the Baha’i Torchbearers”, Washington Post, 28 gusht 2010; “Seven Baha’i Leaders Given Harsh Prison Sentence”, amnestyusa.org.

[3] Stoyan Zaimov, “Chinese Christian Woman Sentenced to 3 Years in Prison for Holding Bible Study”, The Christian Post, 2 janar 2017.

[4] Mushfig Bayram, “Uzbekistan: More Jailings, Long-Term Prisoners’ Sentences Increased”, Forum 18 News Service, 18 nëntor 2016.

[5] Robert Guest, “Two Women, One Cause”, The Economist 1843, shkurt/mars 2017.

[6] Brian Grim and Jo-Ann Lyon, “Religion holds women back. Or does it?” Forumi Ekonomik Botëror, 17 nëntor 2015; shih edhe Brian J. Grim, Greg Clark and Robert Edward Snyder, “Is Religious Freedom Good for Business?: A Conceptual and Empirical Analysis”, Interdisciplinary Journal of Research on Religion, vëll. 10 (2014).

[7] Kristina Arriaga and John Ruskay, “Empower Women by Standing for Religious Freedom”, Religion News Service, 9 dhjetor 2016.

[8] Brian J. Grim and Roger Finke, The Price of Freedom Denied (2011), f. 206.

[9] Valerie M. Hudson, “What Sex Means for World Peace”, Foreign Policy, 24 prill 2012.