Dil nga lundrimi kryesor

Përse Mormonët Nuk Pinë Alkool, Çaj dhe Kafe?

2017-11-Word-of-Wisdom-1200x675.jpg

Shumë njerëz e dinë se mormonët kanë “rregulla” rreth asaj që ata duhet apo nuk duhet të bëjnë. Është e vërtetë që mormonët jetojnë sipas një kodi shëndeti të quajtur Fjala e Urtësisë. Por në vend që ta mendojnë Fjalën e Urtësisë thjesht si një grup rregullash apo një listë të asaj që duhet apo nuk duhet bërë, mormonët e shohin Fjalën e Urtësisë si një zbulesë nga Perëndia, e cila u jep këshillat e Tij mbi mënyrën se si të jetojnë një jetë të shëndetshme.

Profeti Jozef Smith e mori Fjalën e Urtësisë si një zbulesë nga Perëndia, në vitin 1833. Sot, Fjala e Urtësisë është shënuar në një libër të shkrimit të shenjtë të quajtur Doktrina e Besëlidhje (shih DeB 89, kreu i seksionit). Mormonët e konsiderojnë privilegj si edhe përgjegjësi që ta ndjekin Fjalën e Urtësisë dhe janë mirënjohës për bekimet e shëndetit dhe të forcës që vijnë ndërsa jetojnë sipas këshillave të saj.

A pijnë mormonët alkool, çaj dhe kafe?

Në Fjalën e Urtësisë, Zoti i urdhëron mormonët që t’i shmangin lëndët e dëmshme. Mormonëve u jepet mësim të mos pinë asnjë lloj alkooli (shih DeB 89:5–7). Mormonëve u jepet mësim gjithashtu të mos pinë “pije [të] nxehta”, që nënkupton kafe apo ndonjë çaj tjetër përveçse atij bimor (shih DeB 89:9), dhe të mos e përdorin duhanin (shih DeB 89:8). Profetët e ditëve të mëvonshme kanë dhënë mësim gjithashtu se mormonët duhet ta shmangin përdorimin e drogave të paligjshme dhe abuzimin me drogat e ligjshme (shih Për Forcën e Rinisë [broshurë, 2011], f. 26).

Çfarë mund të hanë e të pinë mormonët?

Përveçse jep udhëzime mbi atë që duhet marrë ose jo, Fjala e Urtësisë jep këshilla të mençura rreth gjërave që janë të mira për trupin tonë. Në Fjalën e Urtësisë, Zoti thotë se frutat dhe perimet duhet të merren me “maturi dhe falënderim” (DeB 89:11). Ajo i udhëzon gjithashtu mormonët se mishi është “shuguruar për përdorimin e njeriut” dhe duhet ngrënë me “pakicë” (DeB 89:12), dhe se drithi “është i mirë për ushqimin e njeriut” (DeB 89:16). Mormonët besojnë gjithashtu se, përveç kujdesit për trupin tonë me ushqim të shëndetshëm, ne duhet të kujdesemi gjithashtu për veten duke u ushtruar dhe duke fjetur mjaftueshëm (shih DeB 88:124; shih edhe Për Forcën e Rinisë, f. 25).

Shenjtorëve që e zbatojnë Fjalën e Urtësisë dhe u binden urdhërimeve, Zoti u ka premtuar “shëndet në kërthizën e tyre dhe palcë në kockat e tyre”, “urtësi dhe thesare të mëdha diturie” dhe aftësinë që të “vrapojnë e [të mos] lodhen, dhe … të ecin e [të mos] këputen” (DeB 89:18–20). Mormonët besojnë gjithashtu se bindja ndaj Fjalës së Urtësisë është një çmim i vogël që paguhet për këto bekime të bukura.

Si mund të mësoj më shumë?

Fjala e Urtësisë nuk ka për qëllim të jetë thjesht një listë rregullash apo një listë gjërash që mormonët i kanë të ndaluara t’i hanë dhe t’i pinë. Përkundrazi, mormonët besojnë se Fjala e Urtësisë është një dhuratë. Ajo është një zbulesë e shenjtë nga Ati Qiellor, i cili dëshiron që fëmijët e Tij të jenë të shëndetshëm e të lumtur. Për të mësuar më shumë rreth zbulesës së sotme nga Perëndia, vizitoni mormon.org.