Ejani, Shihni dhe Ndieni

Mesazh nga Udhëheqja e Zonës

Plaku Volfgang Pilz, Gjermani I Shtatëdhjetë Zonal

Vitet 1960 u karakterizuan nga ndryshime të rëndësishme dhe rritje të re në Kishë në Europë. Plaku Ezra Taft Benson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, më vonë President i Kishës, u thirr në Europë që të kryesonte këtu në Frankfurt mbi Misionin Europian. Nën drejtimin e tij, u filluan nisma për ta nxjerrë Kishën nga errësira në tokat e Europës qendrore dhe veçanërisht në Gjermani, e cila ishte goditur më rëndë nga shkatërrimi prej Luftës së Dytë Botërore. Shumë njësi në Gjermani i kishin humbur godinat e tyre dhe tani po mblidheshin në blloqe apartamentesh apo në godina nëpër oborret e ndërtesave.

Në qytetin tim të lindjes, ne mblidheshim në godinën e një biznesi në qendër të qytetit, ku ishte një dyqan këpucësh, një qendër dentare dhe, në katin e sipërm, apartamenti i pronarit të godinës.

Një përvojë mbresëlënëse nga fëmijëria ime më është ngulitur thellë në kujtesë deri në këtë kohë. Një djalë i vogël i Fillores kishte trazuar drynin e portës së hyrjes dhe sigurisht e kishte bllokuar atë. Ndërkohë që anëtarët e lagjes ishin të ulur në mbledhjen e sakramentit, pronari i godinës papritur hyri me vrull në qetësinë e mbledhjes dhe hodhi mbi ne mallkimet dhe kërcënimet e tij të inatosura. Pas kësaj, asgjë nuk dukej të ishte si më parë. Ndjenja e sigurisë dhe qetësisë u humb.

Pak kohë pas kësaj, Presidenti Benson e vizitoi lagjen në Darmshtad dhe shpalli se do të ndërtohej një godinë për ne.

Sfida e madhe për një grup prej dhjetë familjesh të reja dhe disa vejushave të moshuara besnike ishte që të mblidhnin një pjesë të fondeve të nevojshme me vetë kontributet e tyre dhe kryesisht ta ndërtonin atë me vetë punën e tyre.

Çfarë pasoi ishin tre vjet të punës së përbashkët, të përshpejtuar për të ndërtuar një shtëpi të madhe mbledhjesh për lagjen, në të dalë të qytetit.

Në një kohë kur shumë prej familjeve të përfshira ndoshta do të kishin ndërtuar një shtëpi për veten e tyre me ndihmën e fqinjëve, e gjithë forca jonë u përqendrua dhe çdo orë e kursyer u harxhua për shtëpinë e mbledhjeve. Vendi i ndërtimit, bodrumet dhe tunelet e ajrosjes u bënë një kënd lojërash plot aventura për ne fëmijët, sepse familjet u takuan atje çdo fundjavë për të punuar së bashku. Ende sot mund ta shoh pamjen e nënës sime me tenxheren më të madhe që e kishim në dispozicion në shtëpi, në të cilën përgatitej një supë e shijshme, dhe duke e çuar atë për te vendi i ndërtimit.

Midis viteve 1961 dhe 1967, në një nismë të pashoqe, më shumë se 120 vëllezër të rinj në moshë u thirrën që të shërbenin si misionarë të ndërtimit. Ata jetonin me familje anëtare, punonin nga mëngjesi në mbrëmje në vendin e ndërtimit dhe ishin për njëfarë kohe pjesë e familjes së lagjes. Për ne fëmijët ata ishin një shembull i madh. Ne i kujtojmë emrat e tyre deri më sot. Ndërtimi i një shtëpie mbledhjesh për lagjen ishte i mundshëm vetëm me punën e tyre së bashku me pak specialistë.

Nga Flensburgu në Veri të Gjermanisë deri në Grac në Austrinë Jugore, pothuajse 60 godina u ndërtuan në këtë mënyrë.

Së bashku me tempullin dhe vetë shtëpitë tona, shtëpitë e mbledhjes janë vende të shenjta në të cilat ne adhurojmë Perëndinë, i lutemi Atij, na jepet mësim dhe marrim udhëzim shpirtëror.

Shtëpia e mbledhjeve zë një vend të posaçëm në këtë gjë, sepse është një vend ku kushdo që sillet siç duhet, mund të hyjë pa kushte paraprake të mëtejshme.

Në të shkuarën ne shpesh i kemi çuar miqtë tanë në shtëpitë e mbledhjes së lagjeve kur kishte ngjarje kulturore, veprimtari sportive ose festa për t’u festuar. Atyre të gjithëve iu bëri përshtypje jeta jonë si lagje kishe, por shpesh iu mungoi këndvështrimi më i thellë shpirtëror.

Më vonë ne e kuptuam se miqtë tanë prekeshin nga Shpirti dhe mund t’i dallonin mësimet e Krishtit vetëm nëse i sillnim ata në shërbimet e sakramentit, ku ne vetë mbledhim “vaj për llambat tona” nëpërmjet pjesëmarrjes së rregullt në sakrament.

Godinat tona kishtare mund të jenë të thjeshta e pa zbukurime dhe tavolina e sakramentit vetëm një altar gjatë ordinancës së shenjtë, por mesazhi që ne e adhurojmë Krishtin si Shpëtimtarin e Shëlbuesin tonë dhe që ne mund ta përdorim shoqërimin dhe udhërrëfimin e Tij nëpërmjet marrjes me denjësi të sakramentit, mund t’i përshkojë zemrat e njerëzve në këtë mbledhje sakramenti.

Nuk ka vend më të mirë për të shkuar kur dëshirojmë t’ua tregojmë këtë të vërtetë miqve.