Dita e Shabatit në Kishë


I Shtatëdhjetë Zonal

Mesazhi i Shtatëdhjetë Zonal

Plaku Francisko Ruis de Mendoza, Spanjë
I Shtatëdhjetë Zonal

 

Me bisedën e Plakut Nelson në konferencën e përgjithshme të prillit 2015, në Kishë ka pasur një përtëritje të theksit mbi bërjen e Shabatit të shenjtë. Duke e bërë Shabatin të shenjtë, ne mund të marrim gëzim prej tij dhe të përjetojmë shumë bekime që Perëndia pret me ankth t’i derdhë mbi ne. Siç vërejti Plaku Nelson, Shabati ishte një besëlidhje e përjetshme midis Zotit dhe popullit të Izraelit (Eksodi 31: 13, 16)dhe një kujtues që Perëndia mund ta shenjtërojë popullin e Tij. Shpëtimtari shpalli se Ai ishte Zoti i Shabatit (Lluka 6: 5) dhe, në këto ditë të mëvonshme, Ai na ka kujtuar në mënyrë të qartë se ne duhet ta mbajmë Shabatin të shenjtë (DeB 68: 29). 

Një pjesë thelbësore e respektimit të këtij urdhërimi është që të shkojmë në Kishë të dielave dhe të marrim sakramentin: “Duhet të shkosh në shtëpinë e lutjes dhe t’i ofrosh sakramentet e tua në ditën time të shenjtë” (DeB 59: 9). Bërja e kësaj është e domosdoshme në mënyrë që ta mbajmë veten “të panjollë nga bota” (DeB 59: 9). Duke qenë se varet nga Shlyerja, ordinanca e sakramentit është në qendër të adhurimit tonë duke e bërë kështu “mbledhjen e sakramentit mbledhjen më të shenjtë e të rëndësishme në Kishë” (Plaku Dallin H. Ouks, konferenca e përgjithshme e tetorit 2008). Në atë masë që ne përgatitemi për këtë ordinancë dhe për këtë mbledhje, ne do t’i tregojmë Zotit se e kuptojmë rëndësinë e Shlyerjes së Tij dhe se jemi seriozë ndaj besëlidhjeve tona me Të. Bekimet që mund të vijnë nga marrja e sakramentit në mënyrë të përshtatshme janë të panumërta dhe mund të kenë një ndikim në jetën tonë dhe në jetën e atyre rreth nesh. Bashkëpunimi me Këshillin e Lagjes dhe peshkopatën për të pasur një mbledhje sakramenti shpirtërore është pjesë dhe grumbullim i orvatjeve tona vetjake për t’u bërë më shumë si Shpëtimtari ynë dhe në këtë mënyrë për t’u kualifikuar që të jemi një dritë për të tjerët. 

Si mund ta bëjmë sakramentin një mundësi në rritje për vete dhe për ata rreth nesh? Le të ndalemi për një çast dhe të mendojmë për llojin e mbledhjes së sakramentit që Zoti do që ne të kemi. A nuk është ai vendi ku Shpirti do të jetë i pranishëm dhe ne do të shërohemi shpirtërisht ndërsa besëlidhim me Perëndinë se jemi “të gatshëm të marri[m] mbi vete emrin e Birit [të Tij] dhe gjithmonë ta kujtoj[më] atë e të zbatoj[më] urdhërimet [e Tij]” kështu që “[ne] të mund [ta kemi] gjithmonë Shpirtin e tij me [vete]” (DeB 20:77)? A nuk do ta dëshironim shumë atë lloj mbledhje dhe a nuk do të përgatiteshim për të gjatë javës? A nuk do t’i falnim të tjerët për gabimet e tyre ndaj nesh? A nuk do të kërkonim falje dhe të vinim në mbledhjen e sakramentit me një shpirt të penduar? A nuk do të këshilloheshim me anëtarët e familjes sonë për mënyrën se si ta bëjmë mbledhjen e sakramentit një përvojë të shenjtë? A nuk do të na pëlqente t’i sillnim të tjerët në një mbledhje të tillë të veçantë? Zoti ka shpallur: “Dhe nëse ndonjë mes jush është i fortë në Shpirt, le të marrë me vete atë që është i dobët, që ai të lartësohet në zemërbutësi, që ai të mund të forcohet gjithashtu” (DeB 84: 106). A nuk është një përvojë lartësuese sakramenti një mundësi e shkëlqyer për ne që të bëhemi të fortë në mënyrë që të mund t’i ndihmojmë të tjerët të bëhen të fortë gjithashtu? A nuk duhet t’i ftojmë të tjerët, sidomos ata që janë më pak aktivë ose ata që nuk e kanë pranuar akoma Ungjillin, në mënyrë që ata të mund të “[vijnë] te Krishti” me ne “dhe [të] përsos[en] në të” (Moroni 10:32)? 
Lutja ime është që ne të gjithë të mund të marrim pjesë në mbledhjen e sakramentit në një mënyrë të tillë që kjo përvojë do të japë ndihmesë në mënyrë domethënëse për ta bërë Shabatin “kënaqësi” (Isaia 58: 13) jo vetëm për ne por për të gjithë ata për të cilët jemi përgjegjës si dëshmitarë të punës së Zotit (DeB 88: 81–82). 
Në emrin e Jezu Krishtit, amen.