Dil nga lundrimi kryesor

Dita e Shabatit në Shtëpi

Plaku Alesandro Dini-Çaçi, Itali I Shtatëdhjetë Zonal

Plaku Alesandro Dini-Çaçi, Itali, I Shtatëdhjetë Zonal

Në bisedën e tij në Konferencën e Përgjithshme të Prillit 2015, “Shabati Është një Kënaqësi”, ish-Plaku Rasëll M. Nelson na ftoi “t[’i] shqyrto[jmë] ndjenjat t[ona] rreth ditës së Shabatit dhe sjelljen t[onë] gjatë asaj dite”1.

Ai dha këshillë mbi mënyrën se si të kërkojmë frymëzim që ta mbajmë të shenjtë ditën e Shabatit, dhe tha: “Mësova nga shkrimet e shenjta se sjellja ime dhe qëndrimi im për Shabatin përbënte një shenjë midis meje dhe Atit tim Qiellor. Me atë kuptueshmëri … [k]ur më duhej të merrja një vendim nëse një veprimtari ishte e duhur apo jo për Shabatin, unë thjesht e pyesja veten: ‘Çfarë shenje dua t’i jap Perëndisë?’”2

Këto fjalë na bënë mua dhe Sarën, bashkëshorten time, që të merrnim parasysh se çfarë shenje3 po i jepnim Perëndisë nëpërmjet gjërave që bënim të dielave. Ne e kuptuam se nuk na duhej të bënim ndryshime të mëdha, por e ndiem se duhet të fillonim t’u kushtonim më shumë vëmendje gjërave të vogla.  Ne tashmë shkonim në kishë çdo të diel.  Ne nuk punonim në Shabat, nuk bënim sport, nuk studionim apo nuk bënim ndonjë veprimtari tjetër e cila do të shkaktonte që dikush tjetër të punonte në Ditën e Zotit.  Kështu që kërkuam frymëzim për ta kuptuar se çfarë hapash na duhej të ndërmerrnim që ta ndiqnim këtë ftesë nga një apostull i gjallë.

Një të diel pasdite, fëmijët tanë na kërkuan të luanim një nga lojërat e tyre të parapëlqyera të tavolinës. Qëllimi i kësaj loje ishte t’u përgjigjesh saktësisht sa më shumë pyetjeve që të jetë e mundur. Pyetjet ishin gjithmonë tepër të vështira që fëmijët t’u përgjigjeshin, por arsyeja e vërtetë përse fëmijëve tanë u pëlqente që ta luanin këtë lojë, ishin dritat e forta dhe zhurma e madhe e butonave sinjalizues që i jepeshin secilit lojtar. Isha gati t’u thosha atyre që të zgjidhnin një veprimtari tjetër, kur Sara kumtoi se do ta luanim lojën që kishin sugjeruar fëmijët, por me dy kushte: 1) ajo do t’i bënte të gjitha pyetjet; 2) ne nuk do të përdornim pyetjet që ishin në karta, por ajo do të krijonte katër kategori të reja dhe ato do të ishin të gjitha të përqendruara tek ungjilli. Teksa e bëmë gati gjithçka, vrava mendjen se si do t’ia dilte Sara që të përgatiste kaq shumë pyetje të lidhura me ungjillin, të dinte të gjitha përgjigjet e sakta dhe të siguronte që secila pyetje të përkonte me nivelin e secilit fëmijë. Mbi të gjitha, asaj do t’i duhej ta bënte gjithçka gati në çast. Mendova se kjo do të dilte si mos më keq. Megjithatë, teksa filluam të luanim, shpejt u bë e dukshme se dëshira e një nëne që t’i linte fëmijët e saj të luanin, dhe dëshira e një bije që t’i bindej urdhërimit të Atit të saj Qiellor për ta mbajtur të shenjtë ditën e Shabatit, i kishin dhënë rastin Frymës së Shenjtë për ta frymëzuar një prind që të gjente një mënyrë që edhe ta shenjtëronte Ditën e Zotit edhe ta bënte atë një kënaqësi për fëmijët e saj.

Atëherë më erdhën ndër mend fjalët e thëna nga Nefi: “Dhe ndodhi që unë, Nefi, i thashë atit tim: Unë do të shkoj dhe do të bëj gjërat që Zoti ka urdhëruar, pasi e di se Zoti nuk u jep urdhërime fëmijëve të njerëzve pa përgatitur një udhë për ta, që ata të mund të plotësojnë gjënë, që ai i urdhëron”4. Kur Zoti kërkon diçka prej nesh, qoftë drejtpërdrejt ose nëpërmjet udhëheqësve tanë, nganjëherë ne mendojmë se nuk mund ta bëjmë atë por, nëse kërkojmë frymëzim dhe jemi të gatshëm që të veprojmë, Ai do të hapë një udhë pikërisht atje ku mendonim se nuk kishte një të tillë.

E diela është një ditë që e presim me padurim. Në këtë ditë të veçantë, ne e forcojmë marrëdhënien tonë me Perëndinë dhe me Shpëtimtarin duke shkuar në kishë dhe duke e marrë sakramentin. Në këtë ditë të veçantë, ne e forcojmë familjen tonë duke u përfshirë në veprimtari të shëndetshme familjare që na afrojnë së bashku dhe me Perëndinë. Kalimi i kohës së bashku të dielave në mënyra që na ndihmojnë ta kujtojmë e ta nderojmë Perëndinë, na ka ndihmuar që ta bëjmë vërtet një “kënaqësi”5 këtë ditë.

[i]Rasëll M. Nelson, “Shabati Është një Kënaqësi”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 129–130.

[ii]Po aty.

[iii]Eksodi 31:13.

[iv]1 Nefi 3:7.

[v]Isaia 58:13.