Besimi i një Dhjaku


Itali I Shtatëdhjetë Zonal

Mesazh i Udhëheqjes Zonale

Plaku Masimo De Feo, Itali I Shtatëdhjetë Zonal

E kujtoj ende me emocion kur, në moshën 12-vjeçare, u thirra nga presidenti im i degës në zyrën e tij një të diel në mëngjes dhe ai më tha se Zoti dëshironte që unë të shugurohesha dhjak. Më kujtohet emocioni i thellë që përjetova nga mendimi i marrjes së priftërisë, të qenit një përfaqësues zyrtar i Zotit, i autorizuar të veproja në emrin e Tij. Ishte një emocion kaq i thellë saqë ndjeva se Zoti po më fliste vërtet nëpërmjet presidentit tim të degës. Më kujtohet tek besoja se dëgjova zërin e Zotit duke thënë me butësi: “Ky është vullneti i Zotit, është Ai që po të flet…”. Ishte një emocion kaq i thellë saqë e ndryshoi zemrën time përgjithnjë.

Gjatë asaj interviste, presidenti shpjegoi se gjëja më e rëndësishme për mua do të ishte të shpërndaja sakramentin të dielave, apo ta ndihmoja në mënyrë tjetër Zotin për ordinancën më të shenjtë. Ndjeva një përgjegjësi të madhe, të cilën Vetë Zoti po ma mirëbesonte. Pastaj, kur presidenti i degës i vuri duart mbi kokën time për të më shuguruar dhjak, ndjeva një gëzim të madh dhe autoritetin për të vepruar për gjënë më të rëndësishme për Zotin dhe për veten.

E kujtoj ende se si çdo të diel në mëngjes, ndërkohë që ecja për në Kishë, u luta që të thirresha për të shpërndarë sakramentin e në këtë mënyrë të kisha mundësi të përmbushja atë që Zoti vetë më kishte kërkuar, që ishte ta ndihmoja Atë për gjënë më të rëndësishme për Të dhe për veten. Pastaj, sa herë që emri im thirrej me të tjerë për të shpërndarë sakramentin, mendoja: “Zoti i është përgjigjur përsëri lutjes sime këtë të diel”. Kishte pak rëndësi nëse gjendeshin vetëm dy ose tre dhjakë – gjithmonë të njëjtët – që thirreshin çdo të diel. Ajo nuk kishte fare rëndësi për mua. Për mua nuk kishte të bënte fare me numrat apo logjikën njerëzore, për mua ishte gjithnjë një çështje e lidhur me Shpirtin. E dija se ishte Zoti që po më thërriste, dhe, për mua, çdo herë ajo ishte një përgjigje ndaj lutjes që ofroja ndërkohë që ecja për në Kishë. Besoja në mënyrë të patundur se Ai kishte nevojë për mua, pa e kuptuar se përkundrazi isha unë ai që kisha nevojë për Të në të vërtetë.

Duke i përsiatur këto kujtime, mësova tri parime mbi mbështetjen shpirtërore te vetja.

I pari është se, kur marrim pjesë në sakrament aktivisht – qoftë nëse e marrim apo e shpërndajmë atë – dhe e bëjmë këtë me sinqeritet të zemrës dhe me qëllim të plotë, ne mund të ndiejmë një fuqi të vërtetë në jetën tonë që na i prek zemrat tona dhe na i hap mendjet, dhe na lejon të rritemi shpirtërisht. Kjo fuqi e veçantë lidhet me ordinancat e ungjillit, sikurse dha mësim Shpëtimtari: “Si rrjedhim, në ordinancat e saj, fuqia e perëndishmërisë manifestohet”1.

Sa herë që marrim pjesë në ordinancat e ungjillit, si sakramenti apo ato të tempullit, ne mund ta ndiejmë fuqinë e perëndishmërisë në jetën tonë, një fuqi të vërtetë që na i përtërin shpirtrat tanë, na i ndryshon zemrat tona, na e forcon besimin dhe na ndihmon të bëhemi shpirtërisht të mbështetur te vetja. Presidenti Uhtdorf tha: “Të jetuarit sipas parimeve bazë të ungjillit do të sjellë fuqi, forcë dhe mbështetje shpirtërore te vetja në jetën e të gjithë shenjtorëve të ditëve të mëvonshme”2.

Parimet bazë të ungjillit janë të lidhura ngushtë me ordinancat dhe çdo herë që ne marrim pjesë në to, ne marrim më tepër fuqi dhe bëhemi më të mbështetur te vetja shpirtërisht.

Parimi i dytë që mësova, është se shërbimi për Zotin, si ai që ofrova si një dhjak i ri, na forcon sa herë që i përgjigjemi thirrjes së Tij. Me fjalë të tjera, sa më shumë i japim Zotit, aq më shumë forcë dhe fuqi marrim nga Ai, ose me fjalë të tjera, sa më shumë shërbejmë, aq më shumë bëhemi shpirtërisht të mbështetur te vetja.

Së fundi, mësova se besimi në Jezu Krisht është vërtet parimi i parë i fuqisë. Ai tha: “M’u afroni pranë dhe unë do të afrohem pranë jush”3. 

Besimi i një dhjaku të ri që lutej ndërkohë që ecte për në Kishë që të mund të bënte gjënë më të rëndësishme që Zoti i kishte kërkuar atij të bënte, është rritur pa masë që atëherë. Sa më pranë i jam afruar Atij, aq më pranë më është afruar Ai, duke më ndihmuar të jem gjithnjë i mbështetur te vetja shpirtërisht. Për këtë do t’i jem mirënjohës Zotit përgjithmonë.

  1. Doktrina e Besëlidhje 84:20.
  2. Dieter F. Uchtdorf, “Christlike Attributes—the Wind beneath Our Wings”, Liahona, nëntor 2005
  3. Doktrina e Besëlidhje 88:63